MSH: Mbi 61.000 qytetarë janë paraqitur për vaksinim kundër gripit sezonal, deri tani janë vaksinuar mbi 19.000

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se për vaksinimin kundër gripit sezonal deri tani janë paraqitur mbi 61.000 qytetarë që, siç thonë prej atje, tregohet interesim i lartë i qytetarëve që të mbrohen nga komplikimet e gripit sezonal. Në pikat e vaksinimit tashmë janë vaksinuar mbi 19.000 qytetarë.

“Duke filluar nga sot, ekipet mobile të institucioneve shëndetësore do të kryejnë vaksinime në shtëpitë e të moshuarve. Vaksinimi kundër gripit sezonal është masë më efektive për parandalimin e gripit i cili parandalon shfaqjen e formave më të rënda, ndërlikimet dhe vdekjen, veçanërisht për grupet e rrezikuara”, thuhet në kumtesë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se regjistrimi bëhet me plotësimin e aplikacionit vakcinacija.mk dhe me këtë në mënyrë direkte regjistrohen për vaksinim në sistemin “Termini im”.

“Sipas orarit të parashikuar në planin e vaksinimit, përmes sms-ve qytetarët marrin informacione për datën, orën dhe vendin e saktë se kur duhet të vaksinohen. Vaksinimi falas mbulon grupet e rrezikuara të popullatës, si: personat e moshuar (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet sociale të mbrojtjes për të moshuarit dhe punonjësit në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve”, thuhet në komunikatë.