Toka është duke kaluar ditë me temperatura përvëluese, ndërsa në Marok vetëm në një ditë janë raportuar 21 të vdekur si pasojë e të nxehtit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë kishte paralajmëruar një valë të nxehti nga e hëna deri të mërkurën në disa zona. Temperaturat arritën deri në 48 gradë në Beni Mellal.
Ndërkohë, e diela e 21 korrikut ishte dita me temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Tokë. Sipas të dhënave të publikuara nga Copernicus, programi i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e Tokës, të dielën temperatura mesatare në tokë ka qenë 17,09 gradë celsius, pak më e lartë se korrikun e vitit të kaluar kur u regjistrua temperatura 17,08 gradë celsius.
Copernicus monitoron temperaturat në Tokë që prej vitit të largët 1940. Muaji korrik është ai më i nxehti në Tokë, ndërsa rekordi i së dielës vjen në një moment ku shumë vende në planet janë duke u përballur me një valë të nxehti ekstrem. Rreth 100 qytete në SHBA po përjetojnë fillimin e verës më të nxehtë në histori, po ashtu edhe shumë shtete në Europën Jugore janë duke u përballur me temperatura ekstreme.