Të paktën 31 të vrarë dhe 20 të plagosur në sulmin izraelit ndaj kampit të refugjatëve Nuseirat

Në sulmin ajror izraelit në kampin e refugjatëve Nusejrat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, kanë humbur jetën të paktën 31 persona, ndërsa 20 të tjerë janë plagosur, njoftuan sot spitali Al-Aksa dhe dëshmitarët okularë.

Në një komunikatë të Mbrojtjes civile thuhet se “Ekipet e Mbrojtjes civile kanë gjetur 31 të vrarë dhe 20 të plagosur në shtëpinë e familjes Hasan që ishte shënjestruar nga forcat pushtuese izraelite në kampin Nusejrat”, duke shtuar se vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit.

Dëshmitarët okularë thanë se sulmi është kryer rreth orës 3 të mëngjesit sipas orës lokale. Ushtria izraelite njoftoi se po verifikon raportin.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve raportoi se disa fëmijë ishin mes të plagosurve dhe se ekipet e shpëtimit po kërkonin njerëzit e bllokuar në rrënoja.

Ushtria izraelite thotë se kryen vetëm operacione të shënjestruara.