Shqipëria do të fillojë të prodhojë armë dhe municion

Shqipëria do të riaktivizojë prodhimin e armëve dhe municioneve. Propozim-ligji i Ministrisë së Mbrojtjes, e hap rrugën për këtë përmes krijimit të një ndërmarrje shtetërore, e cila do të kontrollojë këtë sektor, publikuan mediat.

Ata kujtojnë se thirrjen e parë për ngritjen e kësaj infrastrukture në vend e bëri presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, kur vizitoi Tiranën në shkurt të këtij viti, në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, ndërsa qeveria shqiptare e mbështeti thirrjen, më pas kryeministri Edi Rama paralajmëroi se gjatë vitit 2030 do të nisë eksporti i armëve.

“Propozimi për kthimin e industrisë ushtarake është i argumentuar me nevojat gjeopolitike të kohës, ku furnizimi me armë është bërë i domosdoshëm për NATO-n dhe për vendet që ajo mbështet në pozicionet ushtarake. Përveç kësaj, angazhimi në fuqizimin e një industrie të tillë mund të konsiderohet edhe si një aktivitet fitimprurës për ekonominë e vendit, theksojnë mediat.

Pritet që ndërmarrja shtetërore që do të formohet t’i kthejë në funksion ish-fabrikat dhe të integrojë teknologjitë e reja në armatim.

Ky nuk do të jetë investimi i vetëm në fushën e mbrojtjes, pasi plani afatgjatë 10-vjeçar synon rritjen e mobilizimit në ushtri dhe ngritjen e disa bazave ushtarake.

Në Shqipëri, pas vitit 1970, u ndërtuan tre ndërmarrje për prodhimin e armëve dhe municioneve, në Mjeks afër Elbasanit, në Gramsh dhe në Poliçan, por prodhimi në to është ndalur prej dekadash.