Ministri Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati sot në Tetovë ndanë 100 grante për vetëpunësim, përcjell TV21. Subvencionet janë në vlerë prej 5.000 deri në 10.000 euro.
“Të rinjtë që kanë ide të ndryshme dhe kreativitet t’i shfrytëzojnë masat për vetpunësim dhe në kuadër të biznes planeve që do t’i përpilojnë të mund të fillojnë biznesin e tyre, duke marrë subvencionim nga 5.000 euro deri në 10 mijë euro”, tha Bekteshi në Tetovë, ku u nënshkruan kontratat për disa nga aplikuesit e aprovuar në këtë rajon.
Drejtori Murati theksoi se interesimi për këto masa është gjithnjë e më i madh dhe se Agjencia do të bëjë përpjekje sipas Planit Operativ të sigurojë më shumë mjete për personat e papunë.
“Synimi ynë është që 15 mijë të papunë të përfshihen në të gjitha këto masa aktive që ofron Agjencia për Punësim. Nuk ndalemi me kaq, synimi ynë është që në vitin e ardhshëm 2023 të përfshijmë më shumë se 20 mijë me atë Plan Operativ. Duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve janë të interesuar për t’u përfshirë, është e qartë se kemi nevojë për më shumë mjete për Planin Operativ dhe në atë pjesë për të siguruar më shumë mjete për të papunët në pjesën e vetëpunësimit, në pjesën e subvencionimit të pagave dhe në pjesën e trajnimeve të ndryshme”, tha Murati.