Piktura e këmbyer për një sanduiç, u shit në ankand për 350 mijë dollarë kanadezë

Piktura kanadeze, të cilën 50 vjet më parë e këmbyen me një sanduiç me djathë të pjekur në skarë, është shitur në ankand për 350 mijë dollarë kanadezë.

Nga artistja Maud Lewis, piktura “Black Truck” u shit për dhjetëfish të vlerës së saj, duke shënuar një hap të ri në karrierën e piktorit që është popullarizuar vitet e fundit.

“Në një kohë trazirash të mëdha dhe ndryshimi, bota e artit jetoi përmes Maud Lewis, historisë dhe artit të saj”, ka thënë Ethan Miller, kreu i shtëpisë së ankandeve në Ontario.

Çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një vepër të saj ishte 67 mijë e 250 dollarë kanadezë.

Lewis ka jetuar në varfëri pjesën më të madhe të jetës.

Teksa bashkë me bashkëshortin shiste piktura buzë rrugës për turistët që vizitonin Nova Scotia, puna e saj e veçantë nuk mori vlerësim ndërkombëtar deri në dekadat pas vdekjes.

Përpjekjet dhe suksesi i saj u dokumentuan në filmin biografik “Maudie” të vitit 2016, i cili prezantoi punën e Lewis në një audiencë më të madhe.

Sipas shtëpisë së ankandeve, blerësi i “Black Truck” e rriti ofertën e tyre fillestare me 10 mijë dollarë kanadezë, pasi e pa filmin një natë përpara ankandit.

Kuzhinierja e re Irene Demas, e cila e bleu punën në këmbim të një sanduiçi me djathë të pjekur në skarë, pati një marrëveshje me artistin John Kinnear.

Marrëveshje, ku në këmbim të sanduiçeve me djathë të pjekur në skarë, do të mund të zgjidhte një pikturë të Kinnear.

Një mëngjes të vitit 1973, Kinnear i tregoi një seri nga artisti Maritime, stili i veçantë i të cilit tërhoqi vëmendjen dhe përpjekjet e të cilit tërhoqën simpatitë e tij.

Në mesin e atyre pikturave ishte edhe “Black Truck”, që qëndron e varur në shtëpinë e Demas për pesë dekada.