Ministri Besimi e dorëzoi propozim-buxhetin e plotësuar për vitin 2022 në Kuvendin e Maqedonisë

Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot ka dorëzuar Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2022, kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, me ç’rast Kuvendi duhet ta miratojë në seancë plenare më së voni deri më datë 31 dhjetor.Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2022, përfshin amendamentet e pranuara gjatë debatit në komisionet kuvendore. Vlera e përgjithshme e amendamenteve të pranuara është 382 milionë denarë, me ç’rast është vlerësuar si një prej ndryshimeve më të mëdha të bëra përmes diskutimit lidhur me amendamentet dhe është konfirmim për gjithëpërfshirjen në procesin e miratimit të buxhetit dhe kapacitetin demokratik në vendin tonë.

Ministri Besimi, gjatë takimit theksoi se pret debati të vazhdojë në këtë frymë edhe në seancën plenare dhe me përkrahje të gjerë të votohet Buxheti për vitin 2022.

Qëllimet kryesore të Buxhetit për vitin 2022, janë: vazhdimi i kujdesit lidhur me mbrojtjen e shëndetit të popullatës, rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes, rritja e investimeve përmes zbatimit të konsolidimit fiskal, përkrahja e proceseve të reformave në sektorin e gjyqësorit, integrimet euroatlantike, si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit.

Siç ka informuar Ministria e Financave, fokusi kryesor i Buxhetit për vitin 2022, do të jetë mbi investimet, kështu që shpenzimet kapitale planifikohen të jenë në nivelin më të lartë deri më tani, me vlerë prej 38.2 miliardë denarëve. Shpenzimet kapitale marrin pjesë me 14% në shpenzimet e përgjithshme dhe janë rritur për 28.3% në krahasim me vitin 2021. Gjithashtu, do të ketë ulje të shpenzimeve joproduktive.