Shkup: Së pari detaje për “Omicronin”, pastaj masa të reja

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thanë se po ndjekin me vëmendje informacionet lidhur me përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, Omicron dhe derisa nuk ka detaje konkrete, do të lë në fuqi masat aktuale kundër COVID-19.“Në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive konstatuam se për momentin nuk ka nevojë për masa konkrete pasi ende nuk kemi njohuri të mjaftueshme për variantin e ri të koronavirusit, Omicron. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se bëhet fjalë për një variant që transmetohet shumë shpejt, por Instituti amerikan për Shëndetësi tha se edhe për transmetueshmërinë ende nuk ka informacione të mjaftueshme dhe mbase janë në një gjendje me variantin Delta”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Kufizime në kufijtë e shtetit, karantinë apo gjëra tjera nuk do të jepnin rezultate, pasi është vështirë të parandalohet përhapja, kështu që për momentin do të fokusohemi në masat që aktualisht i kemi në fuqi. Gjendjen e ndjekim me kujdes, por për momentin nuk do të ndërmarrim masa”, shtoi ai.

Ai ka thënë se gjendja epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut është e qëndrueshme dhe se në javën e fundit është regjistruar ulje e të infektuarve, por edhe e viktimave.

Nga rreth 210,000 të diagnostikuar me COVID-19, kanë vdekur 7,354 persona, ndërsa 8,271 raste janë ende aktive.

Por, për dallim nga ministri i Shëndetësisë, mjekët specialistë thonë se paraqitja e variantit të ri është shqetësuese dhe se institucionet duhet të ndërmarrin masa.

Epidemiologu Sashko Lunçev, thotë se rastet e para me variantin Omicron në Maqedoninë e Veriut mund të paraqiten në dhjetor, e më së voni në janar të vitit 2022.

Sipas tij, më të ekspozuar ndaj variantit Omicron janë të pavaksinuarit dhe të rinjtë, sidomos ata të moshës mes 20 dhe 30 vjeç, por edhe më të rinjtë sikur edhe studentët pasi bëjnë jetë më aktive, kryesisht mblidhen natën në grupe më të mëdha, ku mundësia e transmetimit të virusit është më e madhe.