Kadastra shtetërore sqaroi çmimet e rritura për shërbimet e tyre

Kadastra shtetërore sqaroi çmimet e rritura për shërbimet e tyre

Disa ditë pas njoftimit të Odës së Gjeodetëve se shërbimet kadastrale po rriten jashtëzakonisht shumë, sot drejtori i Agjencisë për Kadastër, Boris Tunxhev, i thirri gazetarët në një konferencë për t’u sqaruar se nuk është kështu. 

Në brifing ka tentuar të marrë pjesë edhe kryetari i Odës së Gjeodetëve, Nikolla Ribaroski, i cili të premten publikoi çmimoren e re. Por sigurimi i Kadastrës, siç thotë ai, nuk e ka lejuar të marrë pjesë në mbledhje.

“Unë hyra dhe më nxori në mënyrë të vrazhdë sigurimi i Agjencisë së Kadastrës, dhe kjo ishte me urdhër të drejtorit, me arsyetimin që të mos bëja incidente. Nuk kam ardhur për të bërë incidente, por për të bërë pyetje dhe arsye për rritjen e çmimit”, u shpreh Nikolla Ribaroski – Kryetar i Odës së Shoqërive Tregtare për punë gjeodezike.

Sipas Gjeodetëve, përderisa Agjencia po rrit jashtëzakonisht të ardhurat e saj, kërkesa e Odës së Gjeodetëve për rritjen e çmimeve të shërbimeve që i ngarkojnë ende nuk është realizuar. Nga ana tjetër, i pari i Kadastrës, sot para gazetarëve tha se dera ishte gjithmonë e hapur për takime. Ai pohon se shërbimet kadastrale nuk janë shtrenjtuar shumë, por vetëm 30 për qind.

“Disa shërbime të ndara dhe me tarifa të ndryshme janë grumbulluar në një shërbim. Prandaj nuk mund të bësh një diapazon, konkretisht për atë që ka qenë nga 33 deri në 600 denarë, ne bëmë çmim universal prej 150 denarëve”, deklaroi Boris Tunxhev, drejtor i Agjencisë së Kadastrës.

Por, gjeodetët akuzojnë se shërbimet e Kadastrës janë rritur deri në 500 për qind. Shërbimi që kushtonte 67 denarë tani kushton 409 denarë, raporti gjeodezik që ishte 700 denarë tani është 1500 denarë. Gjeodetët ankohen gjithashtu se nuk janë konsultuar fare gjatë hartimit të projektligjit të ri për Kadastër, dhe Ligjit për Shërbimet Gjeodezike.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.