Shteti do të marr borxh 900 mln euro

Shteti do të marr borxh 900 mln euro

Qeveria е përgatiti rishikimin e buxhetit. Shteti këtë vit do të ketë huamarrje prej 900 milionë eurosh brenda dhe jashtë vendit.

Paratë do të kërkohen për të mbuluar borxhet e vjetra dhe boshllëkun buxhetor prej gati 700 milionë euro. Me rishikimin, shteti planifikon të shpenzojë 200 milionë euro më shumë dhe të arkëtojë 100 milionë euro në arkën e shtetit, ndryshe nga buxheti fillestar. Shpenzimet janë parashikuar në 4.6 miliardë euro, ndërsa të ardhurat janë në 3.9 miliardë euro, shkruan Alsat.

“Huamarrja kryesisht ka të bëjë me mbulimin e borxheve të vjetra të cilat brenda dhe jashtë vendit janë 11,8 miliardë denarë ose 200 milionë euro. Pjesa tjetër është për të mbuluar deficitin që është 42,7 miliardë denarë ose 696 milionë euro, do të thotë huamarrje“, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave

Projektet kapitale të planifikuara fillimisht janë reduktuar për 95 milionë euro dhe për realizimin e tyre janë ndarë 520 milionë euro. Në rishikimin e buxhetit janë ndarë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë. Besimi thotë se do të ketë masa të synuara, ndërsa masa për lirimin e TVSH-së për ushqime dhe TVSH-ja e reduktuar për akciza mund të shfuqizohen që të mos pësojë dëme buxheti.

“Ne do të monitorojmë situatën dhe do të shkojmë me masa që do të jenë të llojit të ndryshëm, ose me masa më të synuara, masa që do të ndihmojnë kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, por edhe sektorët më të prekur në mënyrë që ato masa të kenë efekte më të mëdha, dhe ana tjetër, pjesa e të ardhurave të buxhetit të mos ketë aq peshë, me aq sa po përballemi aktualisht”, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave

200 milionë euro u janë shkurtuar shfrytëzuesve buxhetorë për blerjen e mobileve, automjeteve dhe shpenzime të tjera joproduktive. Me rishikimin e buxhetit, pritjet e Qeverisë janë që ekonomia e Maqedonisë këtë vit të mbyllet me rritje prej 3,2 për qind të Prodhimit Bruto Vendor, ose 1,4 pikë përqindje më të ulëta se sa ishte planifikuar fillimisht. Norma e inflacionit do të arrijë në 7.2 për qind të Prodhimit Bruto Vendor.