Shkak varianti Omicron: Japonia ndalon udhëtimet për të gjithë shtetasit e huaj

Shkak varianti Omicron: Japonia ndalon udhëtimet për të gjithë shtetasit e huaj

Japonia njoftoi të hënën se do të pezullojë përkohësisht ardhjet e reja të shtetasve të huaj duke filluar nga e marta.

Duke folur jashtë zyrës së kryeministrit, udhëheqësi japonez Fumio Kishida tha se masat u vendosën “për të shmangur situatën më të keqe”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ardhjet e reja të të huajve nga të gjitha vendet e botës do të ndalohen nga mesnata e 30 nëntorit “si një masë paraprake emergjente”, tha ai.

Kishida shtoi se masat janë të përkohshme derisa të dihet më shumë informacion për variantin Omicron.

Përveç Japonisë, edhe Zelanda e Re i është bashkuar dhjetëra vendeve në ndalimin e udhëtimeve nga nëntë vende të Afrikës Jugore për shkak të shqetësimeve mbi variantin e ri Omicron.

Vetëm qytetarët e Zelandës së Re lejohen të udhëtojnë nga Afrika e Jugut, Namibia, Zimbabve, Botsvana, Lesoto, Eswatini, Seychelles, Malavi dhe Mozambiku.

Udhëtarëve nga këto vende u kërkohet të qëndrojnë në karantinë të menaxhuar të izolimit për 14 ditë dhe t’i nënshtrohen testimit, tha në një deklaratë ministri i Reagimit ndaj Covid-19 të Zelandës së Re, Chris Hipkins.

Kjo periudhë e zgjatur e karantinës do të zbatohet edhe për ata që tashmë kalojnë tranzit nga këto vende.