Ministria ruse e Mbrojtjes i përgënjeshtron pohimet e Turqisë se pardje aeroplani ushtarak rus Su-24 e ka shkelur hapësirën ajrore turke.
"Nuk ka pasur kurrfarë shkelje në hapësirën ajrore të Turqisë nga aeroplani i aviogrupit rus në Republikën arabe siriane. Pohimet e palës turke se aeroplani rus Su-34 e ka shkeulur hapësirën ajrore turke janë propagandë e pastër", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë Igor Konashenkov.
"Jam i bindur se ekspertët turq pas mbrojtjes kundërajrore e dijnë se stacionet radiolokacuese (radarët), të cilat bëjnë kontroll të hapësirës ajrore, mund ta fiksojnë vetëm lartësinë, kursin dhe shpejtësinë e objektit në ajër. Asnjë radar nuk është i aftë ta konfirmojë llojin dhe përkatësinë shtetërore të objektit ajror, nëse ai është i Rusisë ose i koalicionit, të udhëhequr nga SHBA", tha Konashenkov.
Ai shtoi se ajo është e mundur vetëm gjatë kontaktit vizual me aeroplanin tjetër.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë t'i ndërmarrë të gjtiha masat e domosdoshme që të mos vijë deri te shkeljet e reja të hapësirës ajrore të Aleancës.
Ai konfirmoi se aeroplani ushtarak rus pardje e ka shkelur hapësirën ajrore turke edhe krahas paralajmërimeve të shumta nga autoritetet turke.
"Incidentet paraprake tregojnë se sa e rrezikshme është sjellja e tillë", thuhet në kumtesën e Stoltenberg.
"I bëj thirrje Rusisë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe tërësisht ta respektojë hapësirën ajrore të NATO-s", shtoi ai.
Stoltenberg theksoi se NATO-ja është tërësisht solide me anëtaren e saj Turqinë dhe se e përkrah integritetin e saj territorial.