Urimi i presidentit Pendarovski me rastin e Fitër Bajramit

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane, Ramazan Bajram, dërgoi urime deri te qytetarët e fesë islame, me dëshirë që festën ta kalojnë me gëzim, shëndet të mirë dhe harmoni me më të afërmit.

“Në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas një muaji agjërim, dëshiroj që të dëgjohen të gjitha lutjet tuaja dhe te të gjithë besimtarët të mbizotërojë solidariteti, mirëkuptimi dhe ndihma për ata që kanë nevojë për ndihmë. Kjo festë le të na rikujtojë se vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe me respektim të ndërsjellë do të mund t’i mbajmë në jetë vlerat që na bashkojnë dhe na sigurojnë mirëkuptim ndërnjerëzor dhe një të ardhme më të bukur”, thuhet në urimin e presidentit të shtetit.

Ai theksoi se këtë vit, festën e Fitër Bajramit e festojmë në një periudhë kur jo vetëm shteti ynë, por edhe e gjithë bota, po ballafaqohet me një prej kërcënimeve më të mëdha të njerëzimit.

“E shfrytëzoj këtë mundësi që t’ju falënderoj për të gjitha përpjekjet e deritanishme dhe për përkushtimin në zbatimin e masave për mbrojtje nga pandemia. Ju bëj thirrje të mbetemi të kujdesshëm dhe të disiplinuar dhe t’i respektojmë rekomandimet në luftën kundër kovid-19 që t’i japim fund kësaj sfide të gjeneratës dhe të sigurojmë jetë të shëndetshme për të gjithë ne në të ardhmen”, porositi presidenti Pendarovski.

Festa e Fitër Bajramit le të sjellë paqe në zemrat tuaja, qetësi në shpirt, gëzim dhe harmoni në shtëpi, thuhet në fund të urimit të shefit të shtetit.