Transplantimi i parë i zemrës në Maqedoninë e Veriut del i suksesshëm

Për herë të parë në vendin tonë është realizuar transplantimi i zemrës, respektivisht transplantim nga një dhurues i vdekur. Në Klinikën për kardiokirurgji shtetërore në Shkup, pas operacionit gjashtëorësh, në ora dy pas mesnate, u transplantua zemra e re në trupin e pacientit 54-vjeçar, Ivan Ognjanovski. Dy veshkët nga dhuruesi i njejtë janë transplantuar në Klinikën për urologji te dy pacientë me dobësi kronike të veshkëve, të cilët me vite të tëra shkonin në dializë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në konferencë për shtyp deklaroi se sot kemi shkruar historinë, pasi për herë të parë në vendin tonë është bërë transplantimi i zemrës nga një dhurues i vdekur.

Ai beson se me këtë do të dërgohet porosi shumë e fuqishme deri te të gjithë qytetarët tanë se sa është i rëndësishëm dhurimi i organeve dhe se kjo në moment të caktuar shpëton jetë.

“Kardiokirurgjia dhe mjekësia kanë periudha të fuqisë dhe të pafuqisë. Deri dje nuk ishim të fuqishëm ta shpëtojmë jetën e Ivan Ognjanovskit, dhe ai vetë dhe ekipet mjekësore ishin të vetëdijshëm se po i jeton ditët e fundit, por me këtë akt të altruizmit të familjes Dinevi, të Miles, Vllatkos dhe Viktorias, me pëlqimin e tyre, zemra e së dashurës së tyre, tani rreh këtu në gjoksin e Ivanit dhe ai e fillon jetën e tij të dytë”, tha ministri.

Intervenimi i djeshëm, siç tha, ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në një aspekt tjetër.

“Për herë të parë u bashkuan dituria, kapacitetet, përvoja dhe ekspertiza e tre kardiokirurgëve tanë më të mirë, prof. dr. Sashko Jovev nga Klinika shtetërore për kardiokirurgji, akademiku Zhan Mitrev nga Klinika ‘Zhan Mitrev’ dhe prof. dr. Aleksandar Nikoliq nga Klinika Axhibadem Sistina, të cilët treguan se shëndeti i qytetarëve është në vend të parë, ndërsa etika dhe betimi i hipokratit i tejkalojnë të gjitha dallimet”, tha Filipçe.

Transplantimin e parë të zemrës, i cili është kryer mbrëmë, në koordinim me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, e filloi dhe e ka udhëhequr koordinatorja kombëtare për transplantim, dr. Maja Mojsova Mijovska.

Në eksplantacionin kanë punuar dr. Marjan Shokarovski dhe dr. Aleksandar Kolevski, nga Klinika për kardiokirurgji shtetërore, dr. Aleksandar Nikoliq nga Axhibadem Sistina, ndërsa nga KARIL anestezionin e kanë udhëhequr dr. Maja Mojsova Mijovska, dr. Vesna Durnev dhe dr. Biljana Andonovska.

Transplantimin e zemrës e kanë punuar prof. dr. Sashko Jovev dhe akademiku Zhan Mitrev, së bashku me dr. Vasil Papestiev, dr. Marjan Shokarovski, dr. Vangjel Zdraveski, dr. Kujtim Xhelili, dr. Tanja Angjusheva, dr. Nikola Hristov, dr. Stefanija Haxhievska, dr. Nadica Mehmedoviq, dr. Vesna Mitashova, dr. Jasmina Ilievska, dr. Marija Gerakovska dhe dr. Dimçe Slavevski nga Axhibadem Sistina.

Në Klinikën për urologji të transplantimit të veshkëve kanë punuar ekipet mjekësore nën udhëheqjen e dr. Sasho Dohçev, dr. Aleksandar Trifunovski, dr. Stavridis dhe dr. Jançulev me ekip të mjekëve nga klinika.

Pacientët të cilët i kanë marrë organet janë zgjedhur nga listat kombëtare për pritje për zemër dhe veshkë, sipas kritereve të përcaktuara mjekësore, të cilat i ka përgaditur dhe me të cilët udhëheq Ministria e Shëndetësisë.